top of page

Historiku i shkurtër i celiakisë?

 

Celiakia – si sëmundje për herë të parë është vërë re nga mjeku i Greqisë antike, Aretaeus nga Kapadokia para më shumë se 2000 viteve, gjersa mjeku anglez Samuel Jones Gee në vitin 1888 ka përshkruar këtë sëmundje më hollësisht. Në vitin 1950, mjeku holandez, Willem Karel Dicke, ka vërtetuar se kjo sëmundje ka të bëjë me intolerancën ndaj miellit të grurit. Ai për herë të parë ka zhvilluar dietën pa-gluten.

 

 

Çfarë është sëmundja e celiakisë?

 

Celiakia, një sëmundje autoimune, e cila karakterizohet me intolerancën e organizmit ndaj glutenit në grurë (prolamin dhe glutenin i grurit), thekër (sekalin), elb (hordein) dhe eventualisht në tërshërë (avenin), është një sëmundje që mbetet e panjohur në shumicën e pacientëve, si në shtetin tonë ashtu edhe në shtetet tjera anembanë në botë, pavarësisht mundësive të mira për diagnostikim. Pra, njerëzit që vuajnë nga celiakia nuk mund të tolerojnë një proteinë të quajtur "gluten" e cila gjendet në grurë, thekër dhe elb.

Hulumtimet kanë rezultuar se të prekurit nga celiakia nuk janë të ndjeshëm ndaj drithërave të tjera, për shembull në oriz apo misër.

Gluteni është i pranishëm gati në çdo produkt industrial, madje edhe në disa produkte që as nuk na merr mendja, si për shembull në disa ilaqe, pastë dhëmbësh, produkte kozmetike, erëza, lëngje, kafe, çokollata, karamele, e të tjerë.  Pra, njerëzit të prekur nga celiakia kanë një reagim imunitar kur konsumojnë ose përdorin produkte që përmbajnë gluten. Trupi i tyre identifikon glutenin si një trup të huaj dhe fillon të prodhojë antitrupa për të mbrojtur atë, pra sistemi i tyre imunitar përgjigjet duke dëmtuar zorrët e holla përkatësisht dëmtohen ngritjet e vogla të quajtura “vile”. Këto “vile” përthithin lëndët ushqyese duke i kaluar ato në qarkullimin e gjakut. Pa këto “vile” të shëndetshme, personi bëhet i keq ushqyer pavarësisht sasisë së ushqimit që ha. Për shkak se sistemi imunitar i trupit tonë shkakton këtë dëmtim, celiakia klasifikohet si sëmundje imunitare.

Dikur, celiakia është konsideruar si sëmundje e fëmijëve e cila zhvillohet në fazën e pubertetit. Megjithatë, është vërtetuar se kjo mund të shfaqet jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek të rriturit.

Trashëgimia e celiakisë ende nuk është qartësuar tërësisht, por ekziston një predispozicion gjenetik si dhe fakte që tregojnë tendencën familjare ndaj sëmundjes së celiakisë (pra, anëtarët tjerë të familjes mund të kenë celiakinë).

Shkaqet kryesore të celiakisë janë të panjohura. Ndonjëherë sëmundja është shkaktuar, ose bëhet aktive për herë të parë, pas një operacioni, shtatzënie, lindjeje, infeksioni viral ose strese emocionale të forta. Sipas hulumtimeve që janë bërë, femrat janë të prekur më shpesh nga celiakia, se sa meshkujt. 

bottom of page